Abdyl Frashëri – libër nga Prof. K. Frashëri

“Abdyl Frashëri Jeta, veprimtaria dhe shkrimet (1839-1892)” – libër i ri nga Prof. Kristo Frashëri

Botimet M&B
ISBN 978-9928-172-12-9
Formati: 160 x 235 mm
Nr. i faqeve: 430
Çmimi: 1500 lekëAbdyl_frasheri_kopertina1

…Abdyl Frashëri, i quajtur nga populli si Emir i Shqipërisë, hyri si protagonist politik në skenën e historisë së Shqipërisë në pranverën e vitit 1877, sapo u duk se vorbulla e Krizës Lindore po i turrej me tërë peshën e saj shkatërrimtare atdheut të vet të robëruar. U tërhoq prej saj jashtë vullnetit të vet, në pranverën e vitit 1881, kur me shtypjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, autoritetet osmane e mbajtën të burgosur, pastaj të internuar dhe më vonë të izoluar, derisa mbylli sytë më 1892. Nga pikëpamja kohore, kjo qe një periudhë shumë e shkurtër – 4 vjet. Por nga vlera historike, ato qenë vite të vrullshme për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, qenë vitet e Lidhjes së Prizrenit, të cilat ngritën masat popullore në aksion revolucionar më tepër se katër dekadat e mëparshme bashkërisht. Qenë vite të stuhishme, të cilat tronditën jo vetëm sundimin shekullor osman në Shqipëri, por edhe politikën e Fuqive të Mëdha në Lindje. Emri i tij është i lidhur aq ngushtë me ngjarjet e këtyre viteve, sa kur kujtojmë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, na del menjëherë para syve silueta dinjitoze e Abdyl Frashërit.
Hulumtimet arkivore dhe bibliotekare që u ndërmorën në pragun e jubileut të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nxorën në dritë një tufë të konsiderueshme materialesh dokumentare, arkivore, bibliografike dhe publicistike, të panjohura ose të pashfrytëzuara më parë, të cilat ndriçojnë veprimtarinë e pasur të Abdyl Frashërit. Në bazë të të dhënave që dolën prej tyre u shkundën nga pluhuri i arkivave dhe i bibliotekave mjaft dorëshkrime të panjohura ose shkrime të harruara të tij. Shkrimet origjinale të Abdyl Frashërit që tani kemi në dorë19 janë pesëfishuar si tituj dhe dhjetëfishuar si vëllim në krahasim me ato që njiheshin disa vite më parë 20.
Vendin e parë midis shkrimeve që tani njohim e zënë artikujt e tij politikë dhe ideologjikë, shumica e të cilëve u botua, pa emrin e autorit. Janë shkruar në frëngjisht, turqisht dhe greqisht, gjuhë që ai i njihte në mënyrë të përsosur…
Me rëndësi të veçantë janë sidomos shkrimet politike (gjithsej 10 artikuj), që Abdyl Frashëri botoi gjatë pranverës së vitit 1878, në periudhën midis shpalljes së Traktatit të Shën-Stefanit dhe themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sikurse do të shihet në vendin e vet, ato së bashku na japin në mënyrë pak a shumë të plotë sistemin e platformës politike që kishte përpunuar ideologu frashërlli në pragun e Kongresit të Berlinit për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në përgjithësi, dhe në veçanti për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që do të formohej së shpejti.
Krahas shkrimeve publicistike, tani ne njohim gjithashtu një numër jo të vogël aktesh politike, të nënshkruara nga Abdyl Frashëri, drejtuar kancelarive evropiane, forumeve ndërkombëtare ose Portës së Lartë, në të cilat shtjellohen dhe argumentohen kërkesat politike të Shqipërisë në lidhje me tërësinë territoriale dhe me të drejtat e saj autonomiste.
Midis burimeve dokumentare që ndriçojnë pikëpamjet politike të Abdyl Frashërit, duhen përfshirë edhe relacionet që japin përfaqësuesit e huaj diplomatikë dhe konsullorë rreth bashkëbisedimeve që patën me udhëheqësin e shquar shqiptar. Materiale të tjera burimore për të njohur pikëpamjet politike të Abdyl Frashërit janë, më në fund, fjalimet dhe diskutimet që zhvilloi në parlamentin e dytë osman, në fillim të vitit 1878, në të cilin ai mori pjesë si deputet i vilajetit të Janinës.
Në këtë punim janë shfrytëzuar mjaft raporte diplomatike dhe onsullore të pabotuara dhe të panjohura deri më sot…
Edhe pse veprat madhore të Abdyl Frashërit kanë humbur dhe sado që kanë mbetur vatra burimore të pavjela, materiali i grumbulluar është mjaft i begatshëm.
Ky botim është monografia më e plotë shkencore mbi këtë revolucionar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare…