Prezantohen në Peshkopi librat e rinj të autorëve Alban Bala dhe Ramiz Gjini

Peshkopi, 17 korrik 2025 – Në mjediset e Bibliotekës Publikë të Peshkopisë u organizua prezantimi i dy librave të rinj: Puthlutja ime – poezi nga Alban Bala dhe Katundi mes malesh – tregime nga Ramiz Gjini.

Znj. Linda Sela, drejtoresha e Bibliotekës së Peshkopisë, falënderoi autorët për pjesëmarrjen në këtë veprimtari dhe theksoi se dyert e Bibliotekës janë të hapura gjithmonë për prezantimet e botimeve të reja dhe autorëve.

Më pas, Miranda Goleci, botuese, solli një jetëshkrim të shkurtër të dy autorëve dhe bëri një panoramë të krijimtarisë së tyre ndër vite, duke u ndalur veçanërisht te librat e rinj të botuar së fundmi.

“Ne jemi të fokusuar të letërsia shqipe, duke sjellë poetët dhe shkrimtarët me të mirë bashkëkohore, dy prej të cilëve janë Alban Bala dhe Ramiz Gjini”, theksoi botuesja Goleci.

Dy autorët, Bala dhe Gjini, duke falenderuar pjesëmarrësit e shumtë në këtë takim, folën mbi procesin e krijimit dhe rrugën që ndjekin krijimet e tyre për te lexuesi.

Në këtë takim morën pjesë lexues dhe dashamirës të autorëve, të cilët në diskutimet e tyre sollën përshtypje dhe vlerësime mbi krijimtarinë e A. Balës dhe R. Gjinit.

Faris Cibaku, mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, u ndal në analizën e tij te tregimet e Gjinit, duke sjellë risitë e prozës, sidomos në përdorimin e fjalëve të vjetra shqipe, fjalëformimet e reja dhe figuracionin e përdorur.

Tregimet e Gjinit dhe poezinë e Balës e vlerësuan edhe studiuesi Haki Pernezha, piktori Zaim Elezi, Hysen Uka e shumë të tjerë.

Më pas, të pranishmit recituan dhe lexuan poezi nga libri i ri i Alban Balës dhe fragmente nga tregimet e librit të ri të Ramiz Gjinit.

Atmosferën e ngrohtë e krijuan edhe nxënëset e gjimnazit “Fiqiri Dine” në Maqellarë, të cilat recituan dhe lexuan me plot ngrohtësi fragmente nga dy librat e sapobotuar. Mësuesja e tyre Zamira Gjeleshi është gjithmonë e gatshme me grupin e saj letrar të shkollës të bëhen pjesë e veprimtarive kulturore në Dibër.

Shkrimtari Andon Andoni kishte ardhur nga Korça me kitarën e tij, duke i përshëndetur autorët me këngën “Kur të jesh mërzitur shumë” me vargjet e Dritëro Agollit.

Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe drejtuesit e radios Logos, të cilët kishin udhëtuar nga Pogradeci për të marrë pjesë në këtë veprimtari të bukur të librit në Peshkopi.

Veprimtaria, e cila zgjati gati 2 orë, ishte plot ngrohtësi dhe të pranishmit u ndanë me premtimin se së shpejti mund të rimblidhemi me veprimtari të ngjashme, pse jo edhe me një mbrëmje poetike.

Botimet M&B gjejnë rastin të falenderojnë drejtorin e Qendrës Kulturore “Haki Stërmilli”, Peshkopi, z. Igli Tomcini, i cili që në fillim u tregua i gatshëm në organizimin e kësaj veprimtarie.

Gjithashtu, një falënderim shkon edhe për Bibliotekën e Qytetit të Peshkopisë dhe punonjësit e saj, të cilët u angazhuan që kjo veprimtari të shkonte sa më mirë.

Mirënjohje për pjesëmarrësit në këtë takim, të cilët dëshmuan se Peshkopia ka lexues dhe dashamirës të librit dhe se veprimtari të tilla duhen organizuar më shpesh.

Design by Gremza