E folura alegorike është e pranishme edhe në ditët e sotme - veçmas -, në shtratin e praktikimit të saj të gjatë historik, në Malet e Dibrës nga mosha e tretë gjalluese. Është e vërtetë, se zvetnimi apo bjerrja është e dukshme, ndryshe nga ç’ndodhte mbi 70 vjet më parë.
Në Luzni, po dhe në Malet e tjerë e gjetkë, kjo gjuhë gjallon akoma mirë, megjthëse bjerrja është e diktueshme. Ky konstatim e keqardhje, ka qenë dhe një nga arsyet kryesore të ndërmarrjes tonë, që ato (aksiomat) e shumta, më shumë se qindra e qindra fjalë të urta, pse jo mijëra të tilla, të mbeten gjallë, mos i mbulojë terri e pluhuri i mospërdorimit nga moshat e reja të ardhshme. Aksiomat, janë pjesa më e klorofiltë e gjuhës se folur popullore.
Gjithë krahinat shqiptare, ashtu si Dibra, ruajnë thesare të vyera gjuhësore. Në këtë fushë ndjehemi shumë borxhlinj, mbi mosnjohjen shkencore të gjuhës e zhvillimit të saj, veçmas në margjinat e trojeve tona etnike shqiptare.