Dibra nën sundimin turk ishte prefekturë e lidhur me Vilajetin e Manastirit. Kjo prefekturë kishte për kufi: në veri nënprefekturën e Mirditës, të Lumës e të Tetovës; në lindje nënprefekturën e Gostivarit, të Kërçovës e të Përlepës; në jug prefekturën e Elbasanit me nënprefekturën e Tiranës dhe në perëndim nënprefekturën e Krues e të Leshit. Dibra, në fakt, ishte nda në dy pjesë: Topallti e Malsi. Topallti quhej ajo pjesë e Dibrës që disi e kishte njoftë e pranue sundimin turk dhe paguente, në të rrallë, taksa të vogla si të dhetë e xhelep, por kurrë ndonjiherë nuk epte ushtarë. Në këtë pjesë hynte qyteti i Dibrës, Reka, krahina e Koxhaxhikut, katundet në lindje të rrugës Dibër-Peshkopi e Golloborda lindore. Pjesa tjetër e Dibrës quhej Malsi, e cila kurrë nuk i asht shtrue sundimit turk. Malësia kishte nji administratë autonome dhe sundohesh me ligjën e maleve që ata e quejnë “Kanuni i Skënder Beut”. Kishin bajraktarët e pleqtë e tyne. Malësia e Dibrës, përveç Matit e Rekës, merrte emnin “Nandë malet e Dibrës”, që emnoheshin: Reçi, Dardha, Qidhna, Muhri dhe Luznija e Dibrës së Poshtme, Gryka e Vogël, Gryka e Madhe, Bulqiza dhe Selishta në Dibër t’Epër.