Shumë pseudo-albanologë (të njohur edhe si turbo-albanologë ose thjesht turbologë) kanë përveshur mëngët për të prodhuar dhe reklamuar etimologjitë e tyre të fjalëve të shqipes dhe për të etimologjizuar fjalë të gjuhëve të tjera nëpërmjet shqipes, me metoda artizanale dhe rezultate komike; paçka se punën dhe performancën e tyre, ndoshta për shkak edhe të efektit të tyre argëtues ndaj publikut, e kanë mirëpritur televizionet kombëtare dhe media të tjera, pa pyetur për dëmin që i kanë sjellë kështu shoqërisë dhe kulturës.
Ndërkohë, përmes këtij libri, albanologët Bardhyl Demiraj, Dhori Qiriazi, Aristotel Spiro, Mimoza Kore, Edon Qesari Enkeleida Kapia, Marek Majer dhe Ardian Vehbiu do të ndihmojnë lexuesin për t’u orientuar përballë kritikave kaotike anti-albanologjike prej amatorëve.
Studimet dhe esetë e përmbledhura në këtë vëllim janë edhe provë se, kur krijohen mjedisi dhe rrethanat e duhura, edhe albanologjia (fushë tradicionalisht abstrakte dhe teknike) është në gjendje t’i flasë lexuesit të gjerë. (A.Vehbiu)