Nji vepër, për të cillën komi shqyptár do të lumnojë e do të krenohet, randsín së cillës nuk gjêjm fjalë ta shprehim, âsht me të vërtetë ky monument jetik i letratyrës shqype, qi, si vigâ ngrehet madhnueshëm, për me ua diftue nipavet t’ Ilirvet gjûhën qi folen të parët e tyne, tue u dhânë deri dikû pênin e lâshit të metamorfozës së gjûhës së tyne: mjaft të thomi, se në tê ndiejm shqypen, si kje folun në shekullin ngjitë mbas deke së Skanderbegut.
Nuk lypet prandej të jét lexuesi letrár i pikatun, a i mârrun thellsisht me çashtje gjûhsije, per me iu gëzue lajmit, per dikê ndoshta të papritun, se në verë të vj. 1927 prej Romet asht bajtë e gjindet në gjí ? atdheut kopja e fotografueme e librit mâ të vjetrit shqyp, qi njihet deri sod. Po duem të flasim për libër të D. Gjon Buzukut, shtypë në vjetë 1555.