Populli thotë: Asnjëherë nuk është vonë të thuash një fjalë. Duke marrë zemër nga kjo urtësi popullore, mendova se mund të thosha diçka për disa personalitete, më të cilat më ka lidhur puna, jeta, koha ose vepra e tyre e shkruar. Me ndjenjën e vetëqortimit – sepse është dashur më herët. Me ndjenjën e vetëprivilegjimit – sepse i kam pasur e i kam miq. Me ndjenjën e vetëlumturimit – sepse kam mësuar shumë prej tyre.
Kam thënë sa kam ditur për to. Por, sigurisht, duhet të kërkoja më shumë, që të dija më shumë e të thosha më shumë. Ani, sidoqoftë, edhe me kaq, ata rrezatojnë. Rrezatojnë shumë.
Ka edhe personalitete të tjera, për të cilat kam shumë dëshirë të flas. Janë kolegët e koleget e albanologjisë – Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Historisë, Instituti i Folklorit, Instituti i Arkeologjisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Universiteti “Fan Noli”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Universiteti i Tetovës, Universiteti i Kalabrisë, Katedra e gjuhës shqipe në Shën Petërburg etj. I kam menduar si grupim më vete. Për më vonë…