Arumunët, të cilët jetojnë si pakicë kulturore ose kombëtare në shtetet e Evropës Juglindore
(Shqipëri, Bullgari, Greqi, Maqedoni e Veriut, Serbi, Rumani), shpesh ngatërrohen me shqiptarë,
bullgarë, grekë, serbë ose rumunë. Edhe nga studiuesit që merren me studimin e këtyre rajoneve,
ata konsiderohen si një popull misterioz në Ballkan. Për shkak të origjinës së tyre ballkanike
jugore, arumunët kanë përfaqësuar gjithnjë një pikë lidhëse të fortë midis popujve me të cilët
kanë jetuar dhe ende jetojnë, duke kontribuar ndjeshëm në formimin dhe zhvillimin e shteteve të
Evropës Juglindore. Ndër të tjera, mund të thuhet se historia moderne e arumunëve është historia
e atyre shteteve, ndaj të cilave ata ishin dhe janë qytetarë besnikë.
Megjithëse arumunët e Evropës Juglindore shihen kryesisht si një popull homogjen nga
këndvështrimi i jashtëm, arumunët shqiptarë – të ashtuquajturit farshërotë – përbëjnë një nga dy
grupet kryesore të arumunëve dhe kanë njëfarë dallueshmërie – në gjuhë, kulturë dhe mjedis
shoqëror – krahasuar me grupin tjetër kryesor, të ashtuquajturit arumunët tesalianë ose
gramoztenët.