Duke jetuar çdo ditë mes shqiptarësh dhe duke bërë vëzhguesin - një mundësi që herë ta jep profesioni i gazetarit dhe herë jo, varet në çfarë këndvështrimi sheh, më binin vazhdimisht në sy e në vesh, por edhe i ndjeja në lëkurë, plot vese e virtyte të njerëzve që na shoqërojnë në udhëtimin tonë të përditshëm, herë në punë e herë në kafene. Por për virtytet e shqiptarit është folur sa mund të mbushësh dy biblioteka me libra. Për veset është folur më pak. Dhe vese kemi kaq shumë, sa është mëkat të mos i evidentosh e t’i ngresh në piedestal, sepse kështu ua kuptojmë më mirë vlerat. Kuptohet, për ata që lexojnë dhe kërkojnë të dinë ndonjë gjë më shumë, sepse për ata që e kanë stakuar vështrim mbi ekranin e smartfonit, nuk ka zgjidhje.