“Samarpunuesit” e Daut Gumenit si metaforë e regjimit totalitar
Në letërsi, si në çdo gjini të artit, ndodh që një gjetje artistike mund të jetë aq e qëlluar sa do t’i garantonte autorit sukses aprioiri, pavarësisht mjeshtërisë përgjatë realizimit të saj si vepër. Kjo gjetje mund të jetë pjellë e fantazisë, por mund të zbulohet apo përjetohet edhe si pjesë e një fakti konkret përfshi edhe jetën e autorit.
Fabula e romanit “Ditari i një samarpunuesi” me autor Daut Gumenin është e një gjetje e jashtëzakonshme. Ngjarjet zhvillohen në një rreth të jugut të Shqipërisë komuniste, më saktë në një kooperativë ku është ngritur një ndërmarrje ku prodhohen samarë për kafshët e punës; kuaj, mushka, gomerë. Kjo ndërmarrje shërben njëkohësisht edhe si kurs për të mësuar rioshët mjeshtërinë e samarpunuesit apo samarxhiut, si quheshin dikur. Mirëpo, siç do lexojmë në roman, përpara se të bëjnë samarët për kafshët e punës kursantët duhen të përgatiten e të përshtatin samarët për vete në radhë të pare, sidomos ata “të pabindurit”, “me njolla në biografi”, kundërshtarët e regjimit të kohës.