Publikut të gjerë i jepet shansi që përmes këtyre shkrimeve të marrë informacion dhe fakte të reja historike, për ngjarje të nxehta të zhvillimeve politike në vend, në kohën kur veproi Fan Noli, duke iu dhënë mundësinë për të riparë mjaft ngjarje të veprimtarisë së tij si kryeministër, në një këndvështrim të ri, që hedhin mendime me vlerë studimi dhe rishikimi. Botimi me prurjet studimore që sjell, i shërben historisë dhe kulturës kombëtare, ngjall interes dhe hap dritare për mjaft ngjarje historike në të cilat veproi ky kryeministër gjatë shërbimit në Shqipëri, si dhe përcjell mesazhe për brezin e ri. Libri përmban aktet e konferencës shkencore të organizuar së bashku me Akademinë e Shkencave, të cilat botohen me rastin e 90-vjetorit të qeverisë të kryesuar prej Fan S. Nolit, në gjysmën e dytë të vitit 1924 dhe 50-vjetorit të vdekjes, duke sjellë një kontribut të vyer në ndiçimin dhe studimin e mëtejshëm të figurës poliedrike të Fan Nolit me këndvështrime të reja, gjykime mbi dobësitë dhe prurjet e çmuara historike të sjella nga ky kryeministër i kësaj epoke në historinë shqiptare.