Në këtë libër bëhet përpjekja e parë për të hartuar një tekst bazë për Filozofinë Popullore dhe autor Xhafer Martini ia ka arritur. Filozofia popullore, sipas tij, buron nga gjithë krijimtaria e popullit, duke mos përjashtuar asnjë lloj dhe gjini të kësaj krijimtarie. Më shumë kjo filozofi ndodhet te fjalët e urta dhe tek alegoria. Autori ka ditur jo vetëm ta vjelë atë lëndë ku është mishëruar filozofia popullore, por edhe e ka përqasur atë me filozofinë e mirëfilltë, të universiteteve dhe të akademive, të filozofëve më të njohur popullorë. Del që Filozofia popullore jona ka pika takimi me filozofitë e ndryshme akademike, siç ka edhe pika largimi. Si përpjekje e parë, na duket mjaft e suksesshme, në një kohë kur ne nuk kemi asnjë përpjekje nga akademikët dhe katedrat universitare të fakultetit të filozofisë për të hedhur hapat e parë për një filozofi kombëtare.