Miti është një rrëfenjë dhe, së pari, duhet lexuar dhe shijuar si e tillë, pra, si një rrëfenjë e këndshme, tërheqëse, herë tragjike dhe herë komike, e thurur me ndodhi aventurash, me bëma heronjsh që përleshen me të keqen, me luftëra, me beteja, me komplote të errëta për zotërimin dhe ruajtjen e pushtetit, por edhe me ndodhi dashurish njerëzore dhe hyjnore, me lumturinë që përshkon shpirtin për dashurinë e përmbushur dhe me dhimbjen e vuajtjen për dashurinë e pamundur, për humbjen, largimin, tradhtinë, vdekjen e atij që dashuron.
Si çdo rrëfenjë tjetër, miti tregon një histori, arsye për ku, duhet lexuar si një libër historie. Si një libër i cili tregon historinë e një qytetërimi që historinë dhe dijen e tij e ruante vetëm me ndihmën e kujtesës dhe e përcillte nga brezi në brez, vetëm gojarisht. Kjo ndoshta sepse shkrimi, si mjet për të ruajtur dhe për të përcjellë kujtesën, ishte ende në hapat e para, e kësisoj, ishte i paaftë dhe i padenjë për të përcjellë të plotë dhe ashtu siç duhet rrëfenjën e mitit, apo ndoshta sepse ky qytetërim, synonte ti siguronte historisë dhe dijeve të tij (me të cilat kishte endur rrëfenjën e mitit), një mjet ruajtës më jetëgjatë se shkrimi, një mjet ruajtës që ti mbijetonte kohës edhe kur shkrimi, për njëmijë e një arsye, të molepsej nga sëmundjet, të lëngonte e të vdiste....