Humori politik kundërkomunist në komunizëm është pjesë e kulturës popullore. Ai lindi si refleks i natyrshëm vetëmbrojtjeje përballë një realiteti antinjerëzor, si një armë e dinjitetit të nëpërkëmbur kolektiv, si një armë fatale kundër arbitrarizmit, cinizmit, çmendurisë, censurës. Ky lloj humori tallet me idolet dhe godet “të paprekshmet” dhe “të paprekurit” duke qeshur edhe kur mjedisi është I trishtuar, madje edhe tragjik. Boshti i tij është kudo dhe kurdo i njëjtë: “Përballë vdekjes, mizores dhe dëshpërimit është më mirë të qeshësh se sa të qash, është më mirë të shkosh kundër rrymës që të mbyt, të rrezikosh duke vënë në peshore realitetin, se sa të dezertosh në heshtje!”. Mund të themi kështu se ky lloj humori është humori i qëndresës. Mund të themi, gjithashtu, se ky lloj humori, edhe pse nuk është burim kryesor, bart në vetvete jo pak elementë, që mund të shërbejnë për studimin e komunizmit, të presionit ideologjik në komunizëm, të krizës ekonomike, varfërinë ekstreme, paaftësinë dhe çmendurinë, megalomaninë dhe paranojën e krerëve komunistë, të shndërruar në personazhë anekdotash.