Krijimtaria gojore është, siç dihet, formë e ndërgjegjes shoqërore. Dhe, njëherazi, është edhe një lloj i veçantë arti. Kjo do të thotë se përmbajtja e çdo vepre folklorike (poezi, përrallë, anekdotë etj.) përcaktohet nga kushtet materiale të zhvillimit. Por, njëherësh ajo është shprehje estetike e marrëdhënieve reale historiko-shoqërore, e veprimtarisë së përditshme të njeriut, e jetës, e jetesës, e punës, e zakoneve dhe e traditave.
Shpresojmë që në këtë tubë këngësh e fjalësh të urta popullore, të mbledhura në krahinën e Ujemujës të qarkut të Dibrës, lexuesi ta shohë këtë zhvillim dhe këtë shprehje estetike. Ato janë pjesë e kulturës sonë kombëtare. Shpresojmë, gjithashtu, që ato t’i rikthehen popullit si një mjet i vyer i kësaj kulture.