Përmes këtij libri autori sjell ndihmesën e tij në trajtimin e plotë dhe mbi baza dokumentare të njërës prej zonave më të veçanta e më të mëdha si Dibra, për kohën kur veproi, duke sjellë njëherësh dhe një ndihmesë të çmuar në fushën e Historisë Ushtarake Shqiptare. Autori është përpjekur dhe ia ka arritur të rindërtojë të plotë imazhin e kësaj zone luftarake, me veçoritë e veta dalluese si në organizim, ashtu edhe në veprimtarinë e dendur luftarake, pa lënë jashtë trajtese edhe rolin e spikatur të saj, si një burim njerëzor për ngritjen e çetave, batalioneve dhe të brigadës sulmuese. Në punim, për herë të parë jepet e tërë skema e veçantë organizative, e plotësuar tashmë dhe me të dhënat për drejtuesit kryesorë, si dhe me dukuritë e risitë e veprimtarisë luftarake të njësive që vepruan në Dibër. Madje, aty sillen në mënyrë të plotë mjaft të dhëna e statistika përmbi formacionet ekzistuese para krijimit dhe të tjerave që u formuan më pas, gjatë veprimtarisë së luftës.