Ka tri gjëra në jetë që nuk kthehen prapa: Fjala, Koha dhe Rasti i humbur! Ka tri gjëra në jetë që mund të të shkatërrojnë: Gënjeshtra, Krenaria e tepërt dhe Xhelozia! Ka tri gjëra në jetë që nuk duhen humbur: Durimi, Shpresa dhe Nderi! Ka tri gjëra në jetë me vlerë të pafundme: Familja, Dashuria dhe Miqësia! Të gjitha këto përfshihen në këtë libër me shënime, reportazhe e kujtime nga jeta e një gjeologu në malet e Shqipërisë. Puna në terren ka qenë dhe mbetet vendimtare për ushtrimin e profesionit. Një gjeolog që nuk ka punuar në terren, veçanërisht në rilevime gjeologjike, nuk mund të pretendojë të merret me shkencat gjeologjike. Pa rilevime gjeologjike, nuk ka shkencë gjeologjike. Ky është një postulat, i cili po anashkalohet dhe harrohet, por që e shoqëron këtë botim nga faqja e parë deri në fund, duke na sjellë një jetë plot pasion e sakrifica, që pak e njohin.