Më pas dolëm në një livadh. Në cep të tij një man i madh.
- Të kujton gjë ky man? - po buzëqeshte Gjergji me hutimin tim. - I shikon këto tela e këto shkarpa. Mban mend? I ke vënë ti...
Çudi, shtrati që kisha bërë në krahët e tij ishte ngjitur lart.
Pema qe rritur, duke mbajtur në supe dhe kujtimet e mia. Telat që kisha lidhur dikur nëpër degë e kishin pushtuar të tërin, qenë bërë njësh me të. Mbi shtratin e shkarpave, trungjet dhe degët e thata ngjanin çuditërisht si krevat. Hipa lart dhe i preka me dorë. Degët e thata më ngjanë si eshtrat e një të vdekuri. Kishin humbur gjithçka, forcën, gjallërinë, por brenda heshtjes së tyre të vdekur fshihnin atë, që unë nuk mund ta hiqja lehtë nga kujtesa. Një kitarë që binte në jehonën e degëve të manit e humbiste në humnerën e kujtimeve.