“Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit është një nga romanet më të lexuar, në mos më i lexuari, në hapësirë shqiptare, nëse i referohemi një sociologjie të leximit.
Nuk e di nëse gjendet një vepër tjetër e letërsisë shqipe që të ketë njohur ribotime kaq të shpeshta. Shoqëria jonë duket se që nga koha e Dijes së Stërmillit e deri më sot ka ndryshuar dukshëm vetëm formën e saj, dukjen pra, pa arritur të ndryshojë marrëdhëniet thelbësore kundrejt gruas, marrëdhënie të cilat janë përcaktuese për qytetërimin dhe emancipimin bashkëkohor. Vlerat artistike të këtij romani, në fazën e brishtë të formësimit të prozës sonë të gjatë si zhanër letrar, kanë virtytet e padyshimta artistike, ende të pazbehura nga koha: forma e shkrimit intim në formë ditari, ankthi e ngazëllimi i pasqyruar me natyrshmërinë e kreshpërimit të ndjenjave dhe përjetimeve, diskurset e shpeshta meditative që shtrohen dhe sidomos shestimet e gjykimet që ngre heroina, gjejnë paralele ende të plota në psikologjinë e motrave të sotme moderne të Dijes.