Çdo vend ka bukuritë e veta, që i ka dhurue natyra, por mue më duket se peizazhet e panoramat e bukura e mahnitëse që ka Dibra s’i ka asnji vend tjetër.
Sa e sa luftra ka ba dibrani për ta mbrojtur këtë vend nga armiqtë lakmitarë, t’egër e barbarë, dhe sa ndihmë u dha vendi. Çdo kreshtë mali kthehej në nji kala me bedena, çdo shpat, çdo grykë e luginë ishte fortinë për të zotin dhe varrezë për të huejn.
Hijerandë ashtë Dibra, e kanë shënue nëpër harta mbretën e krala, se ky vend së pari duhet marrë, o me luftë, o me dredhi, kur të nisen për me hy në Shqipëri.
Parajsë më duket Dibra, plot me engjëj që e mprojnë, si Serafina, por sa keq që ka dhe luçiferë. Janë këto tipare karakteristika të këtij vendi, që e bajnë dhe dibranin sedërmadh e krenar, se natyra si me art të veçantë e ka krijue e shëndrrue, nga nji vullkan me kratere, në nji rrafshnaltë rrethue me male si kunorë, ata sirte ku të çveshme e të nalta, ku të blerta e të pyllëzueme. Nji bukuri e hije të rrallë, kryevepër e saj e përsosun, që e mahnit dhe e magjeps çdo soditës kureshtar. Megjithkëto, Dibra asht hijerandë.
Kjo asht Dibra e Nandë maleve dhe vinë tue pyetë të huejt: “Vallë ku janë Nandë malet e Dibrës”?