Monografia "Vendbanimi Prehistorik i Maliqit" (The prehistoric settlement of Maliq) me autor Frano Prendi, është botim i dorëshkrimeve të vitit 2000 të autorit, në kuadrin e 70 vjetorit të krijimit të arkeologjisë shqiptare dhe të zbulimit të vendbanimit të Maliqit si dhe 90 vjetorit të lindjes së autorit, Prof. Frano Prendit. Monografia është mjaft e rëndësishme, pasi për të parën herë, vihet në qarkullim shkencor lënda shumë e pasur arkeologjike e Maliqit, e zbuluar gjatë gërmimeve 11 vjeçare të drejtuara nga autori gjatë viteve 1961-1966, 1973-1974 dhe 1988-1990. Që kultura shumë e pasur e Maliqit të mund të shfrytëzohet edhe nga studiuesit e huaj, monografia është përkthyer tërësisht në gjuhën angleze. Monografia e F. Prendit sjell me vete një material faktik të ri, të pasur e të larmishëm, duke krijuar kështu një pamje më të gjerë e më të plotë mbi kulturën shumë të pasur të Maliqit, duke plotësuar më mirë njohuritë e fituara nga botimet e mëparshme. Punimi ka vlerë për prehistorinë shqiptare, sepse ndihmon që të plotësohet gjithnjë e më mirë tabloja e zhvillimit të kulturave prehistorike të vendbanimit të Maliqit, si baza kryesore e të dhënave të Prehistorisë.