Ky libër është një autobiografi e autorit. Prof. Hajri Shehu ua kushton këtë libër atyre burrave dhe atyre grave, që e pritën me tërë bujarinë e tyre e me tërë përkujdesjen e tyre në ekspeditat e tij gjuhësore dhe i dhanë fjalën e bukur shqipe e shprehjen e bukur shqipe.
"Kam dashur të them diçka – më shumë si punë kujtimesh për vise, vite e njerëz. Janë vise, vite e njerëz që kanë lënë shumë gjurmë tek unë. Për mirë, sigurisht. Prandaj i ruaj e i kujtoj. Por them diçka sepse ka ende shumë e shumë për të thënë. Për shembull, për kolegët e mi e koleget e mia në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë dhe në Institutin Albanologjik në Prishtinë, në Katedrën e gjuhës shqipe, në Katedrën e gjuhës angleze dhe në Katedrën e gjuhës ruse në Universitetin e Tiranës. Në Qendrën Albanologjike në Kalabri. Në Universitetin e Shkupit dhe Universitetin e Tetovës. Në Katedrën e gjuhës shqipe në Shën Petërburg. Me respekt të madh e vlerësim të lartë do të shkruaj edhe për kolegët e koleget. Por në fletë të tjera, më pas, në një libër tjetër. Ajo që mund të them tani është kjo: Shumë kam mësuar nga kolegët e koleget. Shumë kam parë te puna e tyre e madhe dhe te sedra e tyre e madhe. Kam thënë diçka për Dibrën këndej e për mësues të kësaj Dibre. Por është edhe Dibra andej, Dibra e Madhe, me personazhet e kryepersonazhet e saj. Në parantezë: Nuk janë dy Dibra e nuk jemi dy Dibra. Jemi një. Por na kanë ndarë", shkruan autori në parathënien e librit.