Lexuesi do të gjejë në libër zhvillime befasuese, që na bëjnë të kuptojmë më mirë raportet ndërmjet komunistëve grekë, jugosllavë dhe të atyre shqiptarë në periudhën 1946-1949, e parë në raport me interesat e të mëdhenjve, pozicionin e Shqipërisë në këtë lojë të madhe dhe qëndrimin e politikës shqiptare.
Nëpërmjet marrëdhënieve dypalëshe greko-jugosllave, për një periudhë relativisht të gjatë, 1941-1956, në libër trajtohen dhe analizohen raportet shumëpalëshe ndërmjet aktorëve në Ballkan, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë.
Mënyra e analizës dhe studimit është origjinale, sepse theksi është vendosur në analizën e ngjarjeve dhe zhvillimeve në kushtet e lojërave nacionale dhe ballkanike nga njëra anë dhe nga ana tjetër e lojës botërore të fuqive të mëdha në këtë ballafaqim. Për origjinën dhe fillimet e konfrontimit Lindje-Perëndim, libri hedh një dritë të re, e cila të lejon ta kuptosh mirë këtë konfrontim.
Libri hedh dritë dhe qartëson vendin e Greqisë, Jugosllavisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit në politikën e Stalinit, Çurçillit dhe Ruzveltit gjatë konfliktit botëror, por në të njëjtën kohë libri pasqyron me saktësi rolin e këtij rajoni në marrëdhëniet ndërmjet Të Mëdhenjve, pas vitit 1945, duke treguar se marrëdhëniet greko-jugosllave janë një pikë e rëndësishme për të kuptuar mekanizmat e hyrjes në Luftën e Ftohtë.