Në librin “Alegoria e Dibrës, filozofi e shekujve”, Mevlud Buci përmbledh grimca, kujtesa, porosi të filozofëve popullorë të Dibrës, rrëfime të mjeshtrave popullorë të rrëfimit, bëma e ndodhi të njerëzve të mençur të kësaj treve sharmante, ku gjuha ngrihet në një kult lirie dhe qytetërimi, anektoda, sentenca etj.
Përpjekjet për të krijuar një mendim për gjuhën e kodifikuar, të cilën dijetari francez Roland Barthi e vlerëson si fillesë të asaj që ai e quan metaligjërim, të çojnë detyrimisht në odat e burrave në male, ku nuk mjafton gjuha e drejtpërdrejtë për të komunikuar, por duhet që kjo gjuhë të pajiset me “çelsa të fshehtë”, të cilët mund t’i përdorin vetëm burrat e ditur dhe mendjemprehtë.
Oda e Dibrës është unikale në përdorimin e kësaj gjuhe, e cila me kohë është kthyer në një arketip mprehtësie dhe syçelësie.