Në të gjithë historinë e qytetit, thuajse nuk ishte shënuar asgjë e madhe, asnjë ngjarje që të tërhiqte vëmendjen e njerëzve nga anët e tjera të vendit apo të botës, festë apo diçka tjetër. Edhe luftërat botërore kishin kaluar pa lënë gjurmë, aspak si ngjarje të jetuara, por si histori a gojëdhëna të treguara, të ndodhura diku gjetkë. Përgjatë tyre, asnjëra prej familjeve nuk mundi që të nxirrte një hero, një prijës apo luftëtar, statujën apo përmendoren e të cilit do ta vendosnin në sheshin kryesor apo edhe në ndonjë park, ashtu edhe siç ndodhte rëndom në qytetet e tjera. Edhe shëtitoren kryesore e kishin quajtur “Shëtitorja e Heroit”, për hir të Heroit kombëtar, në një prej viteve jubilarë që përkonte me lindjen e tij e që u festua me madhështi në të gjithë vendin.
Që prej zanafillës së tij, qyteti endej në një jetë të qetë, monotone e të ndenjur si një pellg. Disa e quanin këtë si një bekim që Zoti u kish bërë banorëve të tij, duke iu krijuar një jetë përgjithësisht të paqtë, ndërsa për disa të tjerë, ky fat qe një mallkim, pasi qyteti i tyre nuk tërhiqte vëmendjen e askujt, duke mbetur thjesht një njollë e vogël diku hartë, apo siç shpreheshin së fundmi një grup të rinjsh: “një vrimë e harruar e Zotit.”